Në kuadër të manifestimeve kulturore për nder të 14 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Rahovecit, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vizitoi fshatin Drenoc, një vend kyç për historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Gjatë kësaj vizite, Latifi, së bashku me drejtuesit e degës së OVL-UÇK-së dhe bashkëluftëtarët, shënuan në hartën historike shtëpinë-bazë të eprorit të lartë të UÇK-së, Bedri Zyberaj. Kjo shtëpi ka qenë qendër e rëndësishme ku janë bashkërenduar aktivitetet ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari Latifi theksoi se pothuajse çdo shtëpi në Drenoc ka shërbyer si bazë apo strehë për luftëtarët e lirisë, duke u shprehur respekt dhe mirënjohje për familjen Zyberaj dhe të gjithë kontribuuesit e qëndresës nga ky fshat.
“Respekt dhe mirënjohje për familjen qëndrestare Zyberaj të Drenocit, që dhanë një kontribut të çmuar gjatë luftës për çlirimin e Kosovës,” përfundoi Latifi.