Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka zhvilluar një takim mirëpritës me anëtarët e ekipit të e-sportit “AVOID”, të cilët kanë arritur suksese të spikatura në arenën kombëtare të lojës Counter Strike 2 (CS2). Grupi, i përbërë nga Shaip Hoxha, Amar Zekaj dhe Dion Morina, arritën të triumfonin në Kampionatin Shtetëror “Qualifier 2024” CS2 Pro, duke u kualifikuar më pas në gjysmëfinalet e kampionatit.
Megjithëse ata pësuan një humbje nga ekipi tjetër shqiptar “Illyrians” në gjysmëfinale, paraqitja e tyre ka lënë përshtypje të thellë. Kryetari Latifi ka vlerësuar kontributin dhe përfaqësimin e tyre, duke u dhuruar mirënjohje me motivacionin: “Për përfaqësim dinjitoz të Komunës së Rahovecit në Kampionatin Shtetëror CS2 Pro – Road to RIYADH Qualifier 2024″, i organizuar nga Federata E-Sports Kosova (FESK).
Ky sukses shënon një hap të rëndësishëm për të rinjtë e Rahovecit në fushën e e-sporteve, duke theksuar njëkohësisht potencialin e tyre të lartë për inovacion dhe arritje të mëtejshme në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare.